Shumëkush ka dëgjuar për Kukësin e ri dhe Kukësin e vjeter, por jo shumë për një tjetër Kukës, ai i nëndheshëm që ndodhet nën këmbët e qyteti ekzistues. Ndërtimi i qytetit të nëndheshëm nisi në vitin 1968 si vendstrehimi për banorët në rast sulmi. Kjo ishte periudha, kur në të gjithë vendin udhëheqja komuniste vuri në zbatim planin e bunkerizimit të vendit.
Qyteti i nëndheshëm u projektua nga Inxhinieri Feti Gjici, i cili sot është 78-vjeç, por kur pushteti i kohës ia besoi këtë punë, ai ishte shumë i ri. Inxhinieri përveç detyrës që kishte për realizimin e ndëritit të qytetit të nëndheshme,ai kishte edhe diçka tjetër më të rëndësishme, që nuk duhet ta bisedonte me askënd, madje as me bashkëshorten e tij.
Ky projekt ka 30 hyrje dhe janë të shpërndara në të gjithë Kukësin, por shumë prej tyre sot janë të bllokuara. Kukësi nëntokësor ishte i projektuar si një qytet i mirëfilltë, që do të kishte administratën, spitalin me 300 shtretër, institucionet arsimore, furrat e bukës dhe çdo gjë tjetër.
Për ndërtimin e këtij projekti, Inxhinieri Feti Gjici kishte një ekip prej 30 punëtorësh dhe çdo punëtor kalonte në sitën e shërbimeve sekrete. Punimet e këtij projekti janë bërë të gjitha me krahë dhe nuk janë përdorur mina, pasi shpërthimet dëmtonin qytetin sipër.
Ndërtimi në rrjetin nëntokësor u përfundua në vitin 1989 kur dhe u instaluan energjia eterike dhe uji, por përpara se secila prej zonave të mund të ishte e pajisur siç duhet për funksionin e saj të planifikuar, regjimi u rrëzua.
Vitet e fundit qyteti i nëndheshëm është kthyer edhe në atraksion turistin, për vizitorët vendas dhe të huaj. Madje guidat e këtij destinacioni, tregojnë se interesimi është në rritje, por kompleksi ka ende nevojë për ndërhyrje.
