Wednesday, 10 June, 2026
Lajmi i vertete - vetem ne perballe kukesit

Pikat turistike që nuk duhet t’i humbisni në Kukës  

Kukësi ofron disa atraksione natyrore dhe kulturore mjaft tërheqëse për vizitorët. Ndër më të spikaturat është Liqeni i Fierzës, i cili krijon një panoramë mbresëlënëse dhe është ideal për shëtitje dhe relaks. Po ashtu, mali Gjallica është një destinacion i preferuar për ngjitje dhe turizëm malor, duke ofruar pamje të gjera mbi gjithë zonën.

Zona e Lumës, me fshatrat e saj tradicionale, ruan vlera të rëndësishme kulturore dhe historike, ndërsa gjetjet arkeologjike si varret ilire në Kënetë dëshmojnë për lashtësinë e banimit në këtë rajon. Kukësi tërheq vizitorë edhe për mikpritjen e banorëve dhe përvojën autentike shqiptare që ofron.

Mali Gjallica

Mali i Gjallicës, rreth 2.489 metra lartësi ka një pamje të jashtëzakonshme dhe stoike që mund të vrojtohet nga çdo pikë e qytetit të Kukësit. Ky është mali më i lartë në Kukës dhe është pjesë e Alpeve Dinarike. Ky mal prej guri gëlqeror është i veshur me bimësi dhe pyje të shumta, sidomos pishash dhe ahu. Gjallica është mjaft i famshëm në rrethet e alpinistëve dhe për të organizuar ngjitje apo ecje në të, duhet medoemos organizimi i mirëfilltë me profesionistë të fushës.

Guri i Mëngjesit

Shishtaveci është një fshat i cili ndodhet 33 km në juglindje të qytetit të Kukësit. Një nga veçantitë e këtij fshati është prania këtu e një popullsie të ardhur sllave nga ish-Perandoria e Bullgarisë, të cilët e kanë ruajtur gjuhën dhe traditat e veta dhe tashmë janë pjesë e minoritetit bullgar të Shqipërisë.

Shishtaveci, në fakt, konsiderohet një monument natyror pasi ka një numër pikash turistike, relievesh natyrore, bjeshkët e Shishtavecit të cilat ndodhën në një lartësi prej 2130 metrash mbi nivelin e detit, por një pikë vërtetë interesante të cilën në duam t’ju sugjerojmë, është Guri i Mëngjesit. Ky masiv shkëmbor-ranor i gjendur në jug të Shishtavecit është pjesë e monumenteve natyrore shqiptare.

Ky gur, i cili kë qenë një pikë referimi që në lashtësi, e ka marrë këtë emër pasi rrezet e para të diellit krijojnë një kurorë drite rreth tij. Ai gjendet në një lartësi 1900 metra mbi nivelin e detit dhe prej kohësh është kthyer në një pikë që vizitohet nga turistët që vizitojnë Bjeshkët e Shishtavecit. Hipizmi është një praktikë e kahershme në këtë zonë, ndaj dhe vazhdon të ushtrohet dhe është mjaft e kërkuar nga vizitorët.

Liqeni i Fierzës

Liqeni artificial i Fierzës është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978, në funksion të hidrocentralit të Fierzës. Liqeni shërben edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rretheve Kukës, Tropojë, Has dhe Pukë. Pamja magjepsëse në të gjitha stinët e vitit nuk mund ta linte liqenin e Fierzës jashtë listës tonë.

Mes klimës alpine, hipizmit por edhe bukurive natyrore si liqeni, mali, kanionet, pyjet e luginat e ndryshme, Kukësi sapo ka filluar të njihet nga turistët dhe potenciali për t’u kthyer në një nga pikat më të kërkuara në rajon është vërtetë i jashtëzakonshëm.

Shtegu i Ngjyrave

Ky shteg kalon nëpër Parkun Natyror Korab-Koritnik, një zonë e mbrojtur e njohur për peizazhet e saj alpine, luginat e thella dhe biodiversitetin e pasur. Një pjesë e madhe e itinerarit, rreth 150 kilometra, shtrihet në territorin shqiptar dhe ofron mundësi të ndryshme për ecje, me shtigje që lidhen me zona të banuara dhe nivele të ndryshme vështirësie.

Shtegu ndodhet gjithashtu pranë trekëndëshit kufitar mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë një vlerë të veçantë gjeografike dhe turistike zonës. Gjatë rrugës, vizitorët mund të shijojnë pamje panoramike të rralla dhe një natyrë pothuajse të paprekur.

Në sezonin e verës, kjo zonë shndërrohet në një peizazh shumëngjyrësh falë luleve alpine, duke e bërë “Shtegun e Ngjyrave” një nga destinacionet më tërheqëse për ecje malore dhe turizëm natyror në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *